
Shoqata e Bankave të Kosovës mirëpret miratimin e ligjit për themelimin e Gjykatës Komerciale
24.06.2021, Prishtinë
Shoqata e Bankave të Kosovës mirëpret miratimin e projektligjit për themelimin e Gjykatës Komerciale të iniciuar nga Ministria e Drejtësisë.
Me këtë rast, Shoqata e Bankave të Kosovës miratimin e projektligjit për themelimin e Gjykatës Komerciale e ka vlerësuar si hap të rëndësishëm që do të adresonte mangësitë në sistemin aktual për zgjidhjen e çështjeve të kontesteve gjyqësore. Në kuadër të kësaj me themelimin e Gjykatës Komerciale, do arrihej funksionimi i duhur i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve tregtare përmes sistemeve efektive të gjykatës komerciale dhe do të kontribuonte drejt stabilitetit dhe prosperitetit. Gjithashtu, ky projektligj do mundësonte zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe do promovohej besimi i investitorëve lokal dhe të huaj nga respektimi i shtetit ligjor.
Në mungesë të një Gjykate Komerciale potencojmë që vetëm nga sektorit bankar ekzistojnë mijëra lëndë të pa trajtuara në vlerë rreth 100 milion euro.
Avokimi dhe kontribuimi i vazhdueshëm i Shoqatës së Bankave të Kosovës, industrisë bankare dhe palëve me interes për themelimin e Gjykatës Komerciale do ta favorizojë ekonominë e shtetit tonë dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
Me anë të miratimit të këtij projektligji nga Qeveria, presim që të ketë konsultime edhe nga ana e komisionit përkatës parlamentar me sektorin privat që sa më parë të krijohet infrastruktura ligjore në mënyrë që të funksionalizohet Gjykata Komerciale.