Shoqata e Bankave të Kosovës do të nis aktivitetet e muajit të Sigurisë Kibernetike me Banking Cybersecurity Forum 2024
Tetori, muaji i sigurisë kibernetike po afron. Shoqata e Bankave të Kosovës është gati për të nisur një seri të aktiviteteve kushtuar ndërgjegjësimit për sigurinë kibernetike. Më 1 tetor 2024, SHBK nis zyrtarisht aktivitetet për këtë muaj të rëndësishëm me "Banking Cybersecurity Forum 2024", i organizuar në bashkëpunim me Mastercard. Forumi do të jetë një platformë rrjetëzimi ku ekspertët e industrisë financiare, profesionistët dhe palët e interesuara do të mblidhen për të diskutuar mbi sfidat dhe zhvillimet më të fundit në sigurinë bankare. Forumi do të mbledh së bashku ekspertë të Kosovës dhe rajonit në dy panele diskutimi dhe prezantime rreth sigurisë kibernetike.
Gjatë gjithë tetorit, SHBK do të zhvillojë një fushatë ndërgjegjësimi për publikun të fokusuar në praktikat më të mira për të ndihmuar individët dhe bizneset të mbrohen në internet. Nga këshillat për mbrojtjen e të dhënave personale deri në parandalimin e kërcënimeve kibernetike, kjo fushatë do të ofrojë informacion thelbësor të dobishëm për të gjithë.
Siguria kibernetike është më e rëndësishme se kurrë në botën e sotme digjitale.