Komunikatat

Parandaloni mashtrimet - Ruani të dhënat e kartës suaj bankare
04.05.2022

Parandaloni mashtrimet - Ruani të dhënat e kartës suaj bankare

04.05.2022, Prishtinë

Shoqata e Bankave të Kosovës në bashkëpunim me Visa lansojnë kampanjën informuese “Parandalimi i mashtrimit me karta - Ruani të dhënat e kartës suaj bankare”.

Në botën e sotme dixhitale me ritme të shpejta, ka mënyra të shkëlqyera për të përdorur shërbime të përshtatshme të pagesave dixhitale nga blerjet në internet deri te blerjet në dyqane, por realiteti i ri gjithashtu imponoi një mori mundësish për individët që të përpiqen të përdorin forma të reja të mashtrimit të pagesave. Rritja e ndërgjegjësimit është çelësi në parandalimin e mashtrimit sepse njohuria është linja e parë e mbrojtjes.

Me kalimin e viteve janë shfaqur shumë lloje të reja mashtrimesh duke përfshirë shkeljet e të dhënave, mashtrimet e blerjeve në internet, mashtrimet “phishing”, shpërndarja e tepërt e informacionit dhe mashtrimet e inxhinierisë sociale. Edhe pse bankat dhe ofruesit e skemave të kartave ofrojnë një nivel shumë të avancuar të sigurisë së transaksioneve, është e rëndësishme që mbajtësit e kartave, përkatësisht klientët bankar të marrin masa parandaluese ndaj këtyre përpjekjeve për mashtrim. Kjo temë po bëhet vendimtare në këtë kohë sepse mashtrimet janë në rritje dhe klientët janë të cenueshëm, prandaj është e rëndësishme të merren masa parandaluese për të minimizuar dëmet dhe kostot, dhe për të siguruar që klientët të vazhdojnë të përfitojnë nga komoditeti që ofrojnë pagesat me kartë dhe më e rëndësishmja që ata të vazhdojnë t'i përdorin me siguri kartat e tyre.

Prandaj, SHBK në bashkëpunim me kompaninë VISA po lansojnë fushatën e radhës “Parandalimi i mashtrimeve: Ruani të dhënat e kartës suaj bankare”. Klientët bankarë inkurajohen të ndjekin informacionin e fushatës në uebsajtin e SHBK-së dhe në faqet e mediave sociale nën hashtagun #cardfraudprevention apo #ParandalimiiMashtrimitmeKarta, si dhe faqen e bankave të tyre. Ju mund të prisni të dëgjoni mesazhin tonë edhe në kanalet kryesore të radios dhe në aktivitete dhe intervista të ndryshme publike.

Disa këshilla për parandalimin e mashtrimit me karta janë:

• Gjatë pagesave mos përdorni lidhje publike dhe të pasigurt Wi-Fi

• Kontrolloni gjithmonë URL-në

• Kujdes nga mashtrimet me email dhe telefon

• Asnjëherë mos jepni informacione të kartës së kreditit në media sociale

• Mos lejoni që të tjerët të përdorin kartën tuaj

• Forconi fjalëkalimet në linjë duke përdorur kombinime të rastësishme shkronjash, numrash dhe karakteresh speciale — në mënyrë ideale, një për secilën llogari.

• Ruani versionet më të fundit të aplikacioneve dhe programeve antivirus

Për më shumë informacion se si të mbroheni nga mashtrimi me kartela ndiqni hashtagun #cardfraudprevention apo #ParandalimiiMashtrimitmeKarta në rrjetet sociale, kontaktoni bankën tuaj ose merrni më shumë informacion në faqen e internetit të Shoqatës së Bankave të Kosovës.

Është gjithmonë e dobishme të jesh proaktiv. Pra, sigurohuni që keni mësuar sa më shumë që të jetë e mundur për parandalimin e mashtrimit me karta dhe vazhdoni të shijoni komoditetin e pagesave me kartë bankare.

I jemi mirënjohës Visa-s, lider botëror në pagesat dixhitale, dhe bankave komerciale të Kosovës për mbështetjen e kësaj fushate e cila do të zhvillohet në periudhën maj – korrik 2022.