Komunikatat

Java Ndërkombëtare e Parasë rikthehet me moton: “Planifikoni paratë, mbillni të ardhmen tuaj”
20.03.2023

Java Ndërkombëtare e Parasë rikthehet me moton: “Planifikoni paratë, mbillni të ardhmen tuaj”

Edukimi financiar i fëmijëve dhe të rinjëve u ndihmon atyre të zhvillojnë zakone të dobishme për menaxhimin e parasë në të ardhmen. Familjarizimi me paranë, kulturën e të kursyerit dhe planifikimin buxhetor ndikon te marrja e vendimeve të mençura dhe të përgjegjshme financiare. Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) me mbështetjen e bankave komerciale çdo vit shënon Javën Ndërkombëtare të Parasë me anë të aktiviteteve edukuese dhe argëtuese për fëmijë në shkolla të ndryshme të Kosovës. Java Ndërkombëtare e Parasë është një fushatë vjetore globale ndërgjegjësuese mbi rëndësinë e edukimit të hershëm financiar dhe zhvillimit të aftësive për marrjen e vendimeve të duhura financiare. Këtë vit Java e Ndërkombëtare e Parasë do të shënohet nga 20 – 26 mars.  

Edicioni i 11-të i Javës Ndëkombëtare të Parasë zhvillohet nën moton “Planifikoni paratë, mbillni të ardhmen tuaj”, që përveç ndërgjegjësimit financiar të fëmijëve dhe të rinjëve ka për qëllim të informoj se mirëqenia financiare individuale është e lidhur ngushtë me shëndetin e planetit dhe të shoqërisë në tërësi. Departamenti i Komunikimit dhe Marketingut të SHBK-së për edicionin e 11-të të Javës Ndërkombëtare të Parasë ka përgatitur prezantim dhe diskutim në lidhje me paratë, menaxhimin e tyre, kulturën e të  kursyerit, materiale edukuese, lojra, dhurata e aktivitete të tjera edukuese dhe atraktive për fëmijë.

Java Ndërkombëtare e Parasë për vitin 2023 do të shënohet në tri qytete të Kosovës: Prishtinë, Gjilan dhe Vushtrri, me fëmijë të ciklit fillor nga klasët e para deri në klasët e pesta (1 – 5). Pjestarë të stafit tonë do të vizitojnë disa shkolla në këto qytete dhe do të implementojnë aktivitetet e parapara. Synimi ynë është që çdo vit të shtrihemi në qytete të ndryshme të Kosovës, ku përmes materialeve atraktive të ndihmojmë fëmijët të fitojnë aftësi thelbësore për menaxhimin e parasë, të përgatiten për të ardhmen dhe të jenë të informuar për mirëqenien financiare, por mbi të gjitha të argëtohen dhe të mësojnë duke luajtur.