Komunikatat

Shoqata e Bankave të Kosovës përmbyll aktivitetet e Javës Ndërkombëtare të Parasë
26.03.2023

Shoqata e Bankave të Kosovës përmbyll aktivitetet e Javës Ndërkombëtare të Parasë

Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) me mbështetjen e bankave komerciale përmbylli aktivitetet e edicionit të 11-të të Javës Ndërkombëtare të Parasë. Si çdo vit SHBK organizoi aktivitete edukuese për fëmijë të shkollave të ndryshme të Kosovës, që kanë për qëllim njohjen e fëmijëve me konceptin e parasë, kulturën e të kursyerit dhe planifikimin buxhetor. Java Ndërkombëtare e Parasë është një fushatë vjetore globale ndërgjegjësuese mbi rëndësinë e edukimit të hershëm financiar dhe zhvillimit të aftësive për marrjen e vendimeve të duhura financiare. Këtë vit Java e Ndërkombëtare e Parasë u shënua nga 20 – 26 mars.  

Java Ndërkombëtare e Parasë u shënua në tri qytete të Kosovës: Prishtinë, Gjilan dhe Vushhtrri. Shkollat pjesëmarrëse të kësaj fushate globale ishin: SHMFU “Elena Gjika”, Prishtinë; SHMFU “Thimi Mitko”, Gjilan; dhe SHMFU “Naim Frashëri”, Vushtrri.  Këtë vit Java Ndëkombëtare e Parasë u zhvillua nën moton “Planifikoni paratë, mbillni të ardhmen tuaj”, që përveç mesazhit për kursimin e parave u fokusua edhe në një çështje tjetër tejet të rëndësishme siç është mirëqenia financiare individuale dhe lidhja e saj me shëndetin e planetit dhe të shoqërisë në tërësi.

Departamenti i Komunikimit dhe Marketingut të SHBK-së për edicionin e 11-të të Javës Ndërkombëtare të Parasë prezantoi para fëmijëve një material të përgatitur për funksionet e parasë, zanafillën e saj, tregtimin në kohët e lashta e deri të zhvillimi i monedhave dhe banknotave që njohim ne sot, duke mos lënë anash as ngritjen e bankave dhe historikun e tyre. Bashkë me fëmijët u zhvilluan diskutime të hapura dhe lojëra grupore edukuese që lidhen me menaxhimin dhe kursimin e parave. Aktivitetet u përmbyllën me shumë të qeshura, argëtim, vallëzim, muzikë, dhurata, por mbi të gjitha me më shumë njohuri për paratë dhe kursimin.