Komunikatat

Shoqata e Bankave të Kosovës fillon aktivitetet për shënimin e Muajit të Sigurisë Kibernetike: Qëndroni të sigurt në internet, çdo klikim ka rëndësi!
10.10.2023

Shoqata e Bankave të Kosovës fillon aktivitetet për shënimin e Muajit të Sigurisë Kibernetike: Qëndroni të sigurt në internet, çdo klikim ka rëndësi!

Tetori është Muaji i Ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike. Në mbarë botën çdo vit në muajin tetor lansohen fushata për të promovuar ndërgjegjësimin për sigurinë kibernetike dhe praktikat më të mira midis individëve, bizneseve dhe organizatave. Qëllimi kryesor i Muajit të Ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike është të edukojë njerëzit për rëndësinë e sigurisë kibernetike dhe t'i ndihmojë ata të bëhen më vigjilentë dhe të sigurt në aktivitetet e tyre në internet.

Gjatë Muajit të Ndërgjegjësimit për Sigurinë Kibernetike, Shoqata e Bankave të Kosovës ka paraparë lansimin e materialeve informuese në formën e videove në televizionet lokale dhe rrejtet sociale të SHBK-së. Këto video të përgatitura në bashkëpunim me ekspert të sigurisë kibernetike përmbajnë mesazhe të ndryshme që do të vihen në dispozicion të publikut për të rritur ndërgjegjësimin rreth kërcënimeve të sigurisë kibernetike dhe për të ofruar udhëzime se si të mbrohemi kundër tyre. Temat që do të trajtohen në video janë: email-at phishing, autentifikimi me shumë faktorë, mbrojtja e të dhënave gjatë blerjeve online dhe rëndësia e fjalëkalimeve të forta. Videon e parë të lansuar për email-at phishing mund ta ndiqni në këtë link: https://www.facebook.com/ShoqataeBankaveteKosoves/videos/858381002683222

Ne ju ftojmë të na ndiqni përgjatë gjithë muajit tetor për videot e tjera dhe të ndiqni intervistat me ekspertët e sigurisë kibernetike për informata dhe këshilla praktike për të rritur sigurinë online, që do të lansohen në rrjetet tona sociale.

Për të trajtuar çështjen e sigurisë kibernetike në rrafshin profesional, Shoqata e Bankave të Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave më 25 tetor 2023, organizojnë forumin “Siguria Kibernetike në Industrinë Bankare”. Organizimi i një forumi të sigurisë kibernetike është thelbësor për nxitjen e ndërgjegjësimit, ndarjes së njohurive, bashkëpunimit dhe zhvillimit të aftësive në fushën e sigurisë kibernetike. Duke bashkuar ekspertët dhe palët e interesit, kjo ngjarje do të kontribuojë në krijimin e një mjedisi digjital më të sigurt për individët, institucionet, organizatat dhe shoqërinë në tërësi.

I pasur me ekspertë nga Kosova dhe Shqipëria, forumi “Siguria Kibernetike në Industrinë Bankare”, do të ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e sigurisë kibernetike dhe do të bashkoj profesionistë e entuziastë të kësaj fushe të ndajnë njohuritë dhe përvojat e tyre. Po ashtu, forumi do të ofroj një platformë të shkëlqyer për rrjetëzim, do të përmbajë panele diskutimi mbi kërcënimet kibernetike, dobësitë dhe teknikat e sulmit, e mbi të gjitha do të ndihmojë pjesëmarrësit të kuptojnë më mirë natyrën e kërcënimeve dhe të përshtatin masat e tyre të sigurisë në përputhje me rrethanat.