Komunikatat

Shoqata e Bankave të Kosovës dhe IFC nënshkruajnë marrëveshje për avancimin e transformimit digjital dhe përfshirjen financiare
18.11.2024

Shoqata e Bankave të Kosovës dhe IFC nënshkruajnë marrëveshje për avancimin e transformimit digjital dhe përfshirjen financiare

Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për të avancuar shërbimet financiare digjitale, për të zhvilluar ekosistemet fintech dhe për të përmirësuar sistemet e informacionit të kredive në Kosovë. Marrëveshja u nënshkrua nga Kryeshefi Ekzekutiv i SHBK, z. Petrit Balija dhe z. Nicolas Marquier, Menaxher Regjional për Ballkanin Perëndimor në IFC. Ky bashkëpunim është një pjesë e rëndësishme e Projektit të Shërbimeve Financiare Digjitale dhe Financave të Integruara për Ballkanin Perëndimor, financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO).

Projekti ka për qëllim harmonizimin e sistemeve financiare të Kosovës me standardet evropiane, duke mbështetur përfshirjen financiare dhe rritjen ekonomike të qëndrueshme. Përmes zgjidhjes së boshllëqeve rregullatore dhe institucionale, kjo nismë vendos bazat për shërbime financiare inovative dhe sisteme krediti të avancuara, duke krijuar përfitime konkrete për individët, bizneset dhe ekonominë në përgjithësi. Projekti synon modernizimin e sektorit financiar të Kosovës, duke zgjeruar qasjen në kredi dhe duke ofruar shërbime financiare të sigurta, efikase dhe të përshtatura për nevojat e individëve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM). Përmirësimi i qasjes në teknologji dhe integrimi i praktikave të mira ndërkombëtare do të kontribuojnë në një sistem financiar më të qasshëm dhe të qëndrueshëm.

Përmes këtij bashkëpunimi, SHBK dhe IFC do të përqendrohen në pika të rëndësishme si:

  • Rritja e ndërgjegjësimit për regjistrimin digjital dhe e-KYC: Zhvillimi i trajnimeve dhe punëtorive për të përmirësuar praktikat e regjistrimit digjital dhe identifikimit elektronik të klientëve (e-KYC), duke adresuar sfidat ekzistuese dhe përmirësuar menaxhimin e rreziqeve financiare në Kosovë.
  • Promovimi i bankimit të hapur: Identifikimi dhe prioritetizimi i rasteve të përdorimit të bankimit të hapur për të krijuar një sistem financiar më të qasshëm dhe të orientuar drejt përdoruesve.
  • Praktikat më të mira për pagesat pa para të gatshme: Ofrimi i informacionit mbi modelet më të mira për implementimin e pagesave pa para të gatshme, mekanizmat për nxitjen e përdorimit të tyre dhe organizimi i fushatave për edukim financiar.
  • Modelet e reja financiare digjitale: Identifikimi dhe zbatimi i modeleve të reja financiare bazuar në praktikat ndërkombëtare, përmes trajnimeve dhe seminareve të specializuara.
  • Forcimi i rezistencës kibernetike: Zhvillimi i udhëzuesve të vetëvlerësimit për sigurinë kibernetike dhe organizimi i punëtorive për ndërgjegjësimin mbi rreziqet kibernetike dhe praktikat e sigurta në sektorin financiar.
  • Shfrytëzimi i teknologjive Cloud në shërbimet financiare: Trajnimi mbi mundësitë komerciale dhe modelet e biznesit të bazuara në teknologjitë cloud, duke promovuar përputhshmërinë me rregulloret ndërkombëtare për mbrojtjen e të dhënave.
  • Përmirësimi i sistemeve të informacionit të kredive: Organizimi i trajnimeve dhe mbledhja e informacionit për praktikat aktuale në përdorimin e të dhënave, me qëllim zhvillimin e produkteve të reja dhe zgjerimin e bazës së klientëve, duke garantuar siguri dhe mbrojtje të të dhënave.

 

Përfitimet kryesore

Ky projekt do të mundësojë sektorin financiar të Kosovës të ofrojë shërbime më të aksesueshme dhe produkte financiare të përballueshme e inovative. Përmirësimi i kornizave rregullatore dhe zhvillimi i infrastrukturës do të nxisin përfshirjen financiare, do të reduktojnë rreziqet e kredive dhe do të krijojnë një mjedis të sigurt për investime të qëndrueshme.

 

 

Rreth Shoqatës së Bankave të Kosovës

Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) mbështet zhvillimin e sektorit bankar dhe është zëri përfaqësues i industrisë bankare në Republikën e Kosovës. Ne mbështesim bankat anëtare për të arritur objektivat e tyre duke ofruar një platformë për avokim, ngritje kapacitetesh dhe marrëdhënie me publikun. Banka është kyçe për zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik të Kosovës dhe ne ndihmojmë në avancimin e kësaj kauze. Objektivat tona kryesore janë krijimi i kushteve optimale për një sektor bankar inovativ, të qëndrueshëm, të sigurt dhe gjithëpërfshirës në Kosovë. Për më shumë informata, vizitoni Kosovo Banking Association

Reth IFC-së

IFC - anëtare e Grupit të Bankës Botërore - është institucioni më i madh zhvillimor global i fokusuar në sektorin privat në tregjet në zhvillim. Ne punojmë në më shumë se 100 vende, duke përdorur kapitalin, ekspertizën dhe ndikimin tonë për të krijuar tregje dhe mundësi në vendet në zhvillim. Gjatë vitit fiskal 2024, IFC-ja ka derdhur shifrën rekord prej 56 miliardë dollarë amerikanë për kompani private dhe institucione financiare në vendet në zhvillim, duke shfrytëzuar fuqinë e sektorit privat, dhe mobilizuar kapitalin privat për të krijuar një botë pa varfëri në një planet të jetueshëm. Për më shumë informata, vizitoni www.ifc.org.

Rreth SECO

Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) është qendra e ekselencës së qeverisë federale për të gjitha çështjet thelbësore që lidhen me politikën ekonomike dhe të tregut të punës. Qëllimi i tyre është të kontribuojë në rritjen e qëndrueshme ekonomike, punësimin e lartë dhe kushte të drejta pune, duke krijuar kuadrin e nevojshëm rregullativ, ekonomik dhe të politikës së jashtme. SECO ka mbështetur dhe financuar gjithashtu programe dhe projekte të zhvillimit ekonomik në Kosovë që nga viti 1998. Për më shumë informacion,vizitoni: www.fdfa.admin.ch/countries/kosovo/en/home.html ose https://www.seco-cooperation.admin.ch/en.