Komiteti Ligjor i Shoqatës së Bankave të Kosovës zgjodhi kryesinë
Përfaqësuesit e bankave anëtare të Shoqatës së Bankave të Kosovës kanë zgjedhur kryesinë e Komitetit Ligjor, ku z. Partin Pruthi, Udhëheqës i Zyrës Ligjore në TEB Bank, është zgjedhur si kryetar, ndërsa z. Kastriot Jëlliqi, Jurist i Lartë – Departamenti Ligjor në Credins Bank, si nënkryetar.
Komiteti Ligjor luan një rol kyç në promovimin e një sistemi të drejtë dhe transparent legjislativ dhe rregullator. Mandati i tij përfshin diskutime, shkëmbimin e përvojave dhe informacionit mes anëtarëve, si dhe avokimin për përmirësimin e legjislacionit që lidhet me sektorin bankar.
Gjithashtu, komiteti ka një rol thelbësor në sigurimin e përputhshmërisë së bankave në Kosovë me standardet më të larta ligjore dhe rregullative. Përmes analizës së ligjeve dhe rregulloreve të reja që prekin sektorin financiar, komiteti identifikon sfidat dhe mundësitë, duke ofruar rekomandime që ndihmojnë në përmirësimin e mjedisit rregullator. Ky proces, i mbështetur në ekspertizën e përfaqësuesve të bankave, kontribuon në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit bankar.