Komunikatat

Komunikatë e përbashkët nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Shoqata e Bankave të Kosovës
17.03.2020

Komunikatë e përbashkët nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Shoqata e Bankave të Kosovës

Duke marrë parasysh situatën e krijuar për shkak të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi Covid-19, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë masa adekuate lidhur me funksionimin normal të sistemit financiar. Masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës me qëllim ndaljen e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19, pritet të ndikojnë në zhvillimin e aktivitetit të bizneseve dhe për rrjedhojë dhe në uljen e zvogëlimin e nivelit të të hyrave për bizneset në vend.

Ngadalësimi i aktivitetit të bizneseve në Republikën e Kosovës mund të ndikojë edhe në aftësinë paguese të tyre. Duke marrë parasysh këtë, Guvernatori Mehmeti ka zhvilluar takime me institucionet tjera shtetërore dhe po ashtu ka ftuar disa takime të Bordit Ekzekutiv të BQK-së lidhur me zhvillimet e fundit në vend. Po ashtu Bordi Ekzekutiv, me datë 15 mars 2020 ka takuar Bordin e Shoqatës së Bankave të Kosovës (SHBK), me të cilët ka diskutuar për masat që BQK-ja dhe sektori bankar duhet të ndërmarrin me qëllim të ruajtjes së stabilitetit financiar në vend dhe funksionimit normal të sektorit bankar, si në kryerjen normale të pagesave, furnizimit me para të gatshme në tërë territorin e vendit, e posaçërisht në qytetet, të cilat janë karantinuar. 

Mbështetur në këtë takim, Bordi Ekzekutiv i BQK-së i ka parashtruar edhe rekomandime specifike për Bordin e BQK-së e të cilat janë adresuar menjëherë nga ana e këtij të fundit. Më datë 16 mars 2020, Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm si rezultat i rrethanave të krijuara në vend dhe unanimisht ka miratuar rekomandimin për autorizim të veçantë të Bordit Ekzekutiv për marrjen e veprimeve të nevojshme dhe në kohë të duhur më qëllim të përmbushjes efikase të masave të përcaktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe njëherësh ka e miraturar rekomandimin e Bordit Ekzekutiv për buxhet shtesë për të mundësuar funksionimin stabil të BQK-së në rrethana të tilla. 

Bazuar në vendimet si më sipër, BQK-ja së bashku me SHBK-në kanë vendosur bashkërisht që për bizneset dhe individët të cilët për shkak të gjendjes së krijuar në vend dhe rënies së nivelit të të hyrave të tyre, të ju mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars 2020 deri me 30 prill 2020 dhe varësisht nga situata, ky pezullim të shqyrtohet edhe për më gjatë.

Pezullimet e pagesave të kësteve të kredisë do të shqyrtohen për të gjitha rastet veç e veç me qëllimin që sektori bankar t’i ndihmoj klientëve të tyre në tejkalimin e situatës së krijuar. Kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare, si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore, të kontaktojnë bankat e tyre me kërkesën për pezullim të pagesave të kësteve të kredisë. Në rastet e aprovimit nga ana e bankës, interesat ndëshkuese të lidhura me kreditë nuk do të aplikohen në këtë periudhë. 

Gjatë kësaj periudhe, ndaj kredimarrësve nuk do të aplikohen masa të përkeqësimit të klasifikimit kreditor. Në rrethanat e tilla, me rastin e pezullimit të pagesave të kredive, BQK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore që kreditë të mos klasifikohen, të mos kërkohen provizione shtesë dhe të mos klasifikohen si kredi me probleme në Regjistrin e Kredive. 

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, si institucion i vetëm përgjegjës për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e institucioneve financiare, në mbështetje të ekonomisë, bizneseve dhe qytetarëve të vendit, në kushtet e situatës së krijuar në vend, për shkak të përhapjes së virusit Covid-19, ka marrë vendimet e cekura më lartë të cilat kanë karakter të përkohshëm dhe do të rishikohen bazuar në legjislacionin në fuqi dhe rrethanat e krijuara në vend duke siguruar kështu funksionim efikas dhe stabil të sistemit financiar në vend.