Lajme

Vlerësimi kreditor nga Fitch Ratings për Kosovën hap dritare për investime të reja
30.04.2024

Vlerësimi kreditor nga Fitch Ratings për Kosovën hap dritare për investime të reja

Ditën e sotme, Kosova shënoi një moment shumë të rëndësishëm në rrugën e saj drejt zhvillimit ekonomik. Në një ceremoni të mbajtur me pjesëmarrjen e zyrtarëve kryesorë të qeverisë dhe përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, Kosova shënoi marrjen e vlerësimit kreditor që do të jetë udhëzuesi i investimeve të huaja në vendin tonë.

Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrat dhe figura të rëndësishme të sektorit financiar, reflektoi për arritjet e fundit të Kosovës në fushën e politikave ekonomike. Ai theksoi ndryshimet thelbësore që kanë ndikuar në vlerësimin e lartë, duke përfshirë reduktimin e deficitit buxhetor, rritjen e qëndrueshme ekonomike, dhe menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike.

Së bashku me figurat kryesore të qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare, në ceremoninë dhe panelin për vlerësimin kreditor të Kosovës, morën pjesë edhe personalitete të rëndësishme nga sektori bankar, Z.Suat Bakkal, Kryetar i Bordit të Shoqatës së Bankave të Kosovës dhe Kryeshwf Ekzekutiv në BKT. Kontributi i tij, ofroi një perspektivë të rëndësishme mbi impaktin e vlerësimit kreditor në zhvillimin e sistemit bankar dhe financiar në vend.

Raporti i Fitch vlerësoi se Sektori Bankar i Kosovës ka themele të qëndrueshme dhe është i mirë kapitalizuar me kapitalin e klasit të parë që arriti në 13.9% të aseteve të peshuara me rrezik në fund të vitit 2023. Gjithashtu raporti vlerëson se treguesi i Kredive joperformuese është shumë i ulët duke rënë në 1.9% në fund të vitit 2023.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se ky vlerësim e vendos Kosovën në një pozicion mjaft të favorshëm për të hyrë në tregjet ndërkombëtare financiare, ndërsa përfaqësuesi i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili, shtoi se politikat ekonomike kanë ndihmuar në uljen e borxhit publik dhe rritjen e prodhimit vendor bruto.

Përfundimisht kjo ngjarje jo vetëm që shënon një sukses të rëndësishëm për Kosovën në arenën ndërkombëtare, por gjithashtu hap rrugën për një të ardhme më të qëndrueshme ekonomike për të gjithë qytetarët dhe investitorët.