Lajme

Shoqata e Bankave të Kosovës përmbyll Javën Ndërkombëtare të Parasë
22.03.2024

Shoqata e Bankave të Kosovës përmbyll Javën Ndërkombëtare të Parasë

Aktiviteti i fundit në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë u zhvillua në qytetin e Podujevës, në shkollën “Dëshmorët e Kombit”. Në Podujevë u takuam me nxënës të shkëlqyeshëm të cilët na befasuan me njohuritë e tyre dhe dëshirën për të marrë pjesë në aktivitetet tona edukative mbi paranë dhe kursimin.

Fëmijët mësuan informacione të reja për paranë, institucionet financiare, rëndësinë e menaxhimit të parave dhe të kursyerit. Ndonëse të vegjël, fëmijët treguan aftësitë e tyre për të marrë vendime të mençura financiare në lojërat në grupe. Ata ndanë me ne eksperiencat si konsumatorë të vegjël dhe përpjekjet për të kursyer para në arkat e tyre. Aktivitetet përfunduan me muzikë, kërcim dhe dhurata.

Edukimi financiar për fëmijët është thelbësor për pajisjen e tyre me njohuritë dhe aftësitë që u nevojiten për të marrë vendime të informuara financiare, për të arritur mirëqenien financiare dhe për t’u përballur me ndërlikimet e botës moderne financiare. Të mësuarit rreth menaxhimit të parave ngjall një ndjenjë pavarësie dhe përgjegjësie tek fëmijët. Ata mësojnë të marrin në dorë vendimet e tyre financiare dhe të kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre, të cilat janë aftësi të vlefshme jetësore.

Ne falenderojmë nxënësit dhe stafin e shkollës “Dëshmorët e Kombit” për mikpritjen dhe gatishmërinë për të mësuar më shumë rreth edukimit financiar.