Komunikatat

Sqarim nga Shoqata e Bankave të Kosovës ndaj lajmit të publikuar mbi pagesën e interesit nga klientët gjatë pandemisë
21.05.2020

Sqarim nga Shoqata e Bankave të Kosovës ndaj lajmit të publikuar mbi pagesën e interesit nga klientët gjatë pandemisë

Sqarim nga Shoqata e Bankave të Kosovës                                                                                                   Prishtinë, 21 Maj 2020

Shoqata e Bankave të Kosovës sqaron lajmin e publikuar në disa portale të datës 20.05.2020 me titull “BQK-ja paralajmëron ndëshkim të bankave që po kërkojnë nga klientët pagesën e interesit gjatë pandemisë”

Bankat komerciale në vend kanë punuar dhe po punojnë konform rregullave të cilat janë të parapara nga ana e Institucioneve shtetërore, BQK-ja dhe sipas standardeve nderkombetare. Andaj, për të parandaluar keq informimin e publikut nga ky artikull medial i shpërndarë në disa portale, dëshirojmë të theksojmë edhe një herë, që në të gjitha  masat lehtësuese të ndërmarrura nga bankat, përfshirë edhe rastet e aprovimit për shtyerje të pagesave të kredive, do të aplikohet vetëm interesi i rregullt ndërsa nuk do të aplikohen interesat ndëshkuese të lidhura me kreditë. Gjatë kësaj periudhe ndaj kredimarrësve gjithashtu nuk do të aplikohen masa të përkeqësimit të klasifikimit kreditor. Kjo praktikë është sipas standardeve ndërkombëtare dhe është aplikuar në të gjitha vendet që kanë ofruar masa të tilla lehtësuese gjatë COVID-19.

Sipas komunikatës së përbashkët nga ana e BQK-së dhe SHBK-së si më poshtë:

“Pezullimet e pagesave të kësteve të kredisë do të shqyrtohen për të gjitha rastet veç e veç me qëllimin që sektori bankar t’i ndihmoj klientëve të tyre në tejkalimin e situatës së krijuar. Kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare, si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore, të kontaktojnë bankat e tyre me kërkesën për pezullim të pagesave të kësteve të kredisë. Në rastet e aprovimit nga ana e bankës, interesat ndëshkuese të lidhura me kreditë nuk do të aplikohen në këtë periudhë. 

Gjatë kësaj periudhe, ndaj kredimarrësve nuk do të aplikohen masa të përkeqësimit të klasifikimit kreditor. Në rrethanat e tilla, me rastin e pezullimit të pagesave të kredive, BQK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore që kreditë të mos klasifikohen, të mos kërkohen provizione shtesë dhe të mos klasifikohen si kredi me probleme në Regjistrin e Kredive”.

Duam të konfirmojmë edhe një herë që bankat në Kosovë janë duke zbatuar vendimet dhe do të vazhdojnë të jenë në shërbim të plotë të qytetarëve për të gjitha shërbimet bankare në tërë Kosovën pa marrë parasysh rrethanat nëpër të cilat po kalojmë në këtë kohë të pandemisë COVID-19.

Falënderojmë të gjitha mediat të cilat janë duke bërë një punë të jashtëzakonshme për të informuar publikun me informacione të sakta dhe të verifikuara.