Komunikatat

Shoqata e Bankave të Kosovës dhuron 90 pajisje dixhitale të nënshkrimit për Ministrinë e Shëndetësisë
28.06.2021

Shoqata e Bankave të Kosovës dhuron 90 pajisje dixhitale të nënshkrimit për Ministrinë e Shëndetësisë

28.06.2021, Prishtinë

Për të lehtësuar procesin e vaksinimit dhe për të rritur sigurinë e të dhënave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, Shoqata e Bankave të Kosovës ka dhuruar një donacion me 90 pajisje dixhitale për nënshkrim elektronik për qendrat e vaksinimit për të gjitha komunat e Kosovës.
Këto pajisje dixhitale për nënshkrim do të vihen në dispozicion të personelit shëndetësor menjëherë, për të lehtësuar procesin e vaksinimit i cili tashmë veçse ka filluar. Pajisjet dixhitale të nënshkrimeve janë pajisje të cilat përdoren për të marrë një nënshkrim elektronik ose dixhital i cili lehtëson dhe bën më të shpejtë procesin e regjistrimit të qytetarëve të vaksinuar.

Në emër të Shoqatës së Bankave të Kosovës donacioni është dorëzuar nga Z. Petrit Balija, Kryeshef Ekzekutiv, dhe është pranuar nga Dr. Faik Hoti, Udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë.

Z. Balija tha se ky donacion paraqet një ndihmë të rëndësishme nga sektori bankar në procesin e vaksinimit dhe vjen në vazhdën e shumë donacioneve të tjera që sektori bankar ka bërë për të luftuar pandeminë. Balija falënderoi personelin shëndetësor për punën e palodhshme që ka bërë gjatë pandemisë dhe u shpreh se sektori bankar do vazhdojë të ofrojë mbështetje edhe me donacione të tjera deri në tejkalimin e plotë të pandemisë.

Donacioni i pajisjeve është pranuar nga Dr. Faik Hoti, Udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Drin Podrimqaku, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët falënderuan Shoqatën e Bankave për mbështetjen e ofruar. Z. Hoti tha se një donacion i këtij lloji është më se i nevojshëm në këtë fazë të procesit të vaksinimit i cili ka për synim rritjen e numrit të të vaksinuarve.

Ky donacion mbështetet nga bankat komerciale në vend, anëtare të Shoqatës së Bankave të Kosovës.

Image

 

Image