Lajme

Balija: Shoqëria kosovare është kursimtare
31.10.2017

Balija: Shoqëria kosovare është kursimtare

Dita botërore e kursimit festohet si kujtim i Kongresit të parë ndërkombëtar të kursimorëve të mbajtur në këtë ditë në vitin 1924 në Milano.

Pjesëmarrësit në Kongres janë dakorduar se kursimi është shumë i nevojshëm për zhvillimin e njerëzimit, si dhe për ringjalljen e luftës kundër shfrenimit. Ky vendim është miratuar nga ana e 350 delegatëve nga 27 vende, të cilët paraqisnin rreth njëqind milionë kursimorë. Kjo ditë ende nuk ka filluar të shënohet tek ne.

Petrit Balija drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, tha se koncepti i kursimeve është pjekuria e një shoqërie apo një shteti për të menaxhuar financat e veta. “Shoqëria e Kosovës është e re dhe kjo ditë shënohet që katër vite. Ne kemi nevojë të kemi në kulturë më madhe për kursime”, tha ai sot (e martë) në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë’, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sipas tij kursimi lidhet me çdo gjë, duke ruajtur edhe ambientin etj. Ai bëri me dije se tani kosovarët kanë 3 miliardë depozita në bankat e Kosovës. “Kjo tregon se ka besueshmëri në sistemin bankar, tani kemi edhe 1.5 miliardë në TRUST-in pensinal. Në total kemi 4.5 miliardë euro kurisme”, tha ai.

Balija tha se kursimet janë mjet për të arritur tek qëllimi. Ai ka marrë shembuj shtetet që janë kursimtare, duke thënë se është një model i mirë edhe për Kosovën. “duhet të fillojmë nga burimet e shteti, ambienti, shkolla, rrugët etj.”, tha ai. Sipas tij 70 për qind e kursimeve janë të qytetarëve, ndërsa 30 për qind bizneseve.