Lajme

Sektori bankar organizoi forum diskutimi për mbrojtjen e të dhënave personale me Agjencinë për Informim dhe Privatësi
11.05.2022

Sektori bankar organizoi forum diskutimi për mbrojtjen e të dhënave personale me Agjencinë për Informim dhe Privatësi

11.05.2022, Prishtinë-

Për sektorin bankar, zbatimi i legjislacionit, qoftë ai primar apo sekondar, është vendimtar për një financim të qëndrueshëm dhe transparent ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Sektori bankar është një nga përpunuesit më të mëdhenj të të dhënave personale në vend. Si rrjedhojë, forumi mbi mbrojtjen e të dhënave personale në sektorin financiar kishte për qëllim vendosjen e raporteve bashkëpunuese ndërmjet akterëve kryesor në funksion të zbatimit sa më të drejtë të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. 

Sektori bankar në Kosovë në përgjithësi zbaton praktikat më të mira ndërkombëtare, andaj edhe përshtatja e Ligjit të ri në Kosovë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në pajtim me kërkesat e rregullores së BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale (GDPR), paraqet një hap më tej drejt adaptimit dhe harmonizimit të kornizës ligjore vendore me atë të Bashkimit Evropian (BE-së).

Fjalën e mirëseardhjes të forumit “Implementimi i Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në sektorin financiar” e bëri Kryetarja e Komitetit të Pajtueshmërisë në kuadër të Shoqatës së Bankave të Kosovës, znj. Kaltrina Haxha Ferizi ndërsa në fjalën e hapjes së forumit Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës Z. Petrit Balija, shprehi se: “Është e vërtetë që mbrojtja e të dhënave të klientëve kërkon angazhim të madh dhe ka një kosto të lartë por është diçka e domosdoshme pasi që mbron institucionin nga shkeljet dhe dënimet por edhe ruan reputacionin e institucionit, e gë në rastin e sektorit bankar reputacioni dhe besueshmëria janë tejet të rëndësishme. Forumi vazhdoi me diskutimin e temave në panelin e përbërë nga:  znj. Krenare Sogojeva Dermaku – Komisionere, Agjencia për Informim dhe Privatësi, znj. Eriola Bibolli – Kryeshefe Ekzekutive, Banka ProCredit Kosovë, znj. Daniela Bollmann, Zyrtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Raiffeisen Bank International & Filialeve Austriake të RBI dhe znj. Kaltrina Haxha Ferizi – Kryetare e Komitetit të Pajtueshmërisë në Shoqatën e Bankave të Kosovës.

Disa nga temat e trajtuara gjatë këtij forumi ishin: rëndësia dhe fushëveprimi i Ligjit dhe bashkëveprimi me ligjet e tjera në vend, roli i Agjencisë në zbatimin e drejtë të Ligjit, sfidat dhe tejkalimi i tyre gjatë implementimit të “GDPR” në BE veçanërisht në sektorin bankar, sfidat gjatë implementimit të Ligjit në sektorin bankar vendor, miratimi i akteve mbështetëse nënligjore në funksion të zbatimit të Ligjit në praktikë, organizimi i forumeve dhe rritja e ekspertizës mbi privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale, ekzaminimi i bankave dhe fokusi i ekzaminimit, të drejtat e subjektit të të dhënave si dhe  transferimi i të dhënave personale në shtetet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare.

Panelistët diskutuan aspekte të ndryshme dhe vlerën e shtuar të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në sektorin bankar, sidoqoftë u pajtuan se kërkesat e Ligjit janë mjaft komplekse dhe ka nevojë të mbështeten me udhëzime dhe diskutime shtesë në vazhdim. Komisionerja znj. Krenare Sogojeva Dermaku theksoi se qëllimi primar i Agjencisë është të ndihmojë dhe siguroj zbatimin e Ligjit në praktikë dhe gjobat do të përdoren vetëm si opsion i fundit tek përpunuesit, nëse ata nuk adresojnë rekomandimet e Agjencisë brenda afateve të parapara ligjore. Përfundimisht, të gjitha palët u pajtuan që ky forum është hapi i parë drejtë një dialogu afatgjatë “sektor dhe Agjenci”, deri në pajtueshmërinë e plotë me të gjitha kërkesat e Ligjit.

Image

Image

Image