Lajme

Themelohet Nën-komiteti për Bankim të Qëndrueshëm në SHBK
18.05.2022

Themelohet Nën-komiteti për Bankim të Qëndrueshëm në SHBK

13.05.2022, Prishtinë

Sektori bankar në Kosovë, si një nga shtyllat më të rëndësishme të stabilitetit financiar të vendit, është duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit dhe transparencës së akterëve financiarë, ndërmarrjeve të biznesit dhe autoriteteve shtetërore për nevojën për të miratuar kriteret e nevojshme për një Kosovë më të gjelbër, një ekonomi më të qëndrueshme dhe me një qeverisje të korporatave më të mirë.

Duke ngritur gradualisht standardet për financim të qëndrueshëm, ne mund të sigurojmë një ambient më të pastër për Kosovën. Po ashtu, mund të jemi nxitës të reduktimit të informalitetit që do të rriste mirëqenien sociale dhe ekonomike në vend si dhe qasjen më të lehtë në financa për grupe të margjinalizuara.

Andaj, Shoqata e Bankave të Kosovës në kuadër të Komitetit të Riskut ka themeluar Nën-komitetin për Bankim të Qëndrueshëm ku një nga objektivat kryesore që ky komitet do të ketë, është kontributi i saj në hartimin e politikave në këtë fushë, në mënyrë që edhe sektori bankar në Kosovë të jetë pjese e financimit të qëndrueshëm dhe pjesë e kornizave raportuese si në nivel vendi, po ashtu edhe në nivel global.

Gjatë takimit të parë të këtij nën-komiteti të mbajtur me 13 maj 2022, përfaqësuesit e bankave komerciale, anëtar të Komitetit votuan për kryetare të Komitetit Znj. Antigona Limani Bejtullahu, Udhëheqëse e Departamentit për Qëndrueshmëri dhe Komunikimit në bankën Raiffeisen Kosovë. Ndërsa për nënkryetar  u zgjodh Z. Fatos Hasani, Udhëheqës i Njësisë së Menaxhimit të Mjedisit në bankën ProCredit Kosovë.