Lajme

Sesion informues për rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave në epokën digjitale
28.01.2023

Sesion informues për rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave në epokën digjitale

Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të Dhënave shënon të drejtën e njeriut për privatësi, veçanërisht në një epokë të zhvillimeve të mëdha tekonologjike dhe varësisë së njerëzve nga mjetet dhe shërbimet digjitale. Mbrojtja e të dhënave personale është një çështje sfiduese që kërkon ndërgjegjësimin e institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve. Identifikimi i mënyrave efikase të veprimit për mbrojtjen e të dhënave dhe përmbushja e obligimeve që dalin nga Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale janë thelbësore për të arritur sukses.

Agjencia për Informin dhe Privatësi në bashkëpunim me Rrjetin CSR Kosova, mblodhën përfaqësues të bizneseve në Kosovë në një sesion informues për të diskutuar hapat që duhet të ndërmerren për mbrojtjen e privatësisë, zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale me përpikmëri dhe njëkohësisht promovimin e mbrojtjes së të dhënave.

Pjesë e këtij sesioni informues ishin edhe Znj. Antigona Limani Bejtullahu – Udhëheqëse e Departamentit të Marketingut dhe Marrëdhënieve me Publikun në Raiffeisen Bank/kryetare e Nënkomitetit për Bankim të Qëndrueshëm në SHBK dhe znj. Kaltrina Haxha Ferizi – Udhëheqëse e Pajtueshmërisë në ProCredit Bank/kryetare e Komitetit të Pajtueshmërisë në SHBK. Ato shkëmbyen mendime mbi sfidat dhe zhvillimet më të fundit në mbrojtjen e të dhënave nga perspektiva e sektorit bankar, për rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale, aplikimit të ligjit në praktikë dhe metodave më të fuqishme për promovimin e privatësisë në epokën digjitale.