Lajme

Maksimizimi i Mundësive të Qëndrueshme Financiare
08.02.2023

Maksimizimi i Mundësive të Qëndrueshme Financiare

Trajtimi me prioritet i përpilimit të strategjive dhe politikave që ndikojnë në zbutjen e ndryshimeve klimatike është tejet i rëndësishëm në kohën e sotme.  Përmes projekteve miqësore me klimën, orientimit nga investimet e qëndrueshme dhe mbështetjes së masave për zbutjen e ndryshimeve klimatike, sektori financiar ka mundësi të bëj një ndryshim të madh në këtë drejtim. Sektori financiar ka fuqi të madhe sa u përket çështjeve të qëndrueshmërisë qoftë në aspektin e ngritjes së vetëdijësimit apo duke mbështetur bizneset që ndjekin praktika të drejta dhe të qëndrueshme të punës.

Korporata Ndërkombëtare e Financimit (IFC) në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave (SHBK) organizuan takimin me temën: “Maksimizimi i mundësive të qëndrueshme financiare”. Me sektorin financiar në fokus ky takim shërbeu për të lehtësuar zhvillimin e financave të qëndrueshme, duke demonstruar elemente kyçe të financimit të qëndrueshëm, të cilat do të rrisin kapacitetin e institucioneve financiare për të zhvilluar biznesin klimatik në përputhje me udhëzimet e globale dhe atyre të Bashkimit Evropian.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të IFC-së dhe nënkomitetit për Bankim të Qëndrueshëm të SHBK-së. Pjesëmarrësit paten mundësi që të diskutojnë një mori temash që lidhen me qëndrueshmërinë financiare, tranzicionin e gjelbër, mundësitë e financimit të qëndrueshëm në sektorë specifik, avancimin e rrugës së tyre drejt qëndrueshmërisë dhe hapave që duhet të ndërmarrin. Ky takim shërbeu gjithashtu si një udhërrëfyes për pjesëmarrësit për t'u njohur me shërbimet dhe mjetet që IFC ofron për t'i ndihmuar ata në drejtim të maksimizimit të mundësive të qëndrueshme financiare.