Lajme

Shoqata e Bankave të Kosovës shënon aktivitetin përmbyllës të Javës Ndërkombëtare të Parasë
27.03.2023

Shoqata e Bankave të Kosovës shënon aktivitetin përmbyllës të Javës Ndërkombëtare të Parasë

Java Ndërkombëtare e Parasë për vitin 2023 u përmbyll me aktivitete edukative dhe atraktive për fëmijë. Edukimi financiar i fëmijëve, përveç se i bën ata më të përgjegjshëm me shpenzimin e parasë, ndikon në rritjen e personave të përgjegjshëm që dinë të menaxhojnë dhe planifikojnë financat e tyre. Edukimi financiar është tejet i rëndësishëm, e madje mund të jetë edhe argëtues nëse mësojmë duke luajtur.

Shoqata e Bankave të Kosovës, me mbështetjen e bankave komerciale shënoi aktivitetin e fundit për Javën Ndërkombëtare të Parasë në SHMFU “Naim Frashëri” në Vushtrri. Në Vushtrri takuam nxënës shumë aktiv të cilët i’u gëzuan aktiviteteve dhe këshillave për kursimin e parasë. Ata ndanë me ne eksperiencat e tyre si konsumatorë të vegjël, përpjekjet që të kursejnë para në arkat e tyre, duke na surprizuar me idetë kreative dhe interesimin e treguar për të mësuar më shumë mbi paranë dhe kursimin.

Duke zhvilluar orë mësimore më ndryshe se ato të zakonshmet, organizuam lojëra grupore që patën si qëllim të ngjallin bashkëpunimin, mendimin kritik dhe vendosjen në praktikë të gjërave që mësuam bashkë. Edhe një herë fëmijët u treguan të shkathtë në marrjen e vendimeve financiare dhe kursimtarë të mirë. Aktivitetet përfunduan me muzikë, kërcim dhe dhurata.