Lajme

Shoqata e Bankave të Kosovës themelon Komitetin e Sigurisë Kibernetike
28.03.2023

Shoqata e Bankave të Kosovës themelon Komitetin e Sigurisë Kibernetike

Digjitalizimi ka transformuar industrinë bankare, duke krijuar mundësi dhe sfida të reja. Zhvillimi teknologjik përveç që ka përmirësuar dhe lehtësuar përvojën e klientëve në banka me mundësi të shumta shërbimi, paralelisht ka rritur nevojën për siguri më të madhe kibernetike. Në përgjithësi, këta faktorë e kanë bërë sigurinë kibernetike më të rëndësishme se kurrë për industrinë bankare.

Duke marrë parasysh pikërisht këta faktorë, Bordi i Drejtorëve të Shoqatës së Bankave të Kosovës ka vendosur të themeloj Komitetin e Sigurisë Kibernetike. Qëllimi i këtij komiteti është të identifikojë dhe në mënyrë proaktive të parandalojë rreziqet që lidhen me sulmet kibernetike duke siguruar që industria bankare të jetë e përgatitur në mënyrë adekuate për t'iu përgjigjur kërcënimeve të tilla.

Komiteti i Sigurisë Kibernetike është përgjegjës për një sërë çështjesh kyçe që lidhen me vlerësimin e rrezikut nga kërcënimet kibernetike, paralajmërimin e anëtarëve me kohë për kërcënime të mundshme, planifikimin e reagimimeve efikase në rast të ndonjë incidenti, avokimin tek organet përgjegjëse për draftimin e ligjeve dhe rregulloreve, si dhe trajnimin e anëtarëve dhe publikut ndaj masave të sigurisë kibernetike. Të gjitha këto me qëllim të rritjes së sigurisë kibernetike dhe komunikimit më të mirë mes anëtarëve.

Me themelimin e këtij komiteti riafirmohet përkushtimi i bankave komerciale në Kosovë duke treguar që qëndrojnë një hap para kërcënimeve kibernetike. Masat e forta të sigurisë kibernetike janë thelbësore për mbrojtjen e klientëve, financave dhe reputacionit të një banke në epokën e sotme digjitale.