Lajme

Horizontet e Qëndrueshme: Investimet e së ardhmes në Ndërtimet e Gjelbërta në Kosovë
12.03.2024

Horizontet e Qëndrueshme: Investimet e së ardhmes në Ndërtimet e Gjelbërta në Kosovë

Qëndrueshmëria është bërë kryefjalë në shumë sfera të jetës në nivel global, dhe çdo ditë e më shumë po merr hapësirë edhe në diskutimet tona në Kosovë.Investimet e gjelbërta janë një komponent shumë i rëndësishëm i agjendës së qëndrueshme dhe këtu ndërtesat, infrastruktura rrugore dhe ajo energjetike përfaqësojnë shumicën e investimeve të gjelbërta.
Për të diskutuar më shumë rreth rëndësisë së kësaj teme, Shoqata e Bankave të Kosovës në bashkëpunim me Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC) pjesë e Bankës Botërore, organizuan ngjarjen: Horizontet e Qëndrueshme: Investimet e së ardhmes në Ndërtimet e Gjelbërta në Kosovë, ku objektivi kryesor ishte katalizimi i një partneriteti dinamik midis institucioneve financiare dhe lojtarëve kryesorë në sektorin e ndërtimit.
Kryeshefi Ekzekutiv I Shoqatës së Bankave të Kosovës, z.Petrit Balija në fjalën e tij hapëse për këtë ngjarje tha se: “Sektori bankar mbetet i gatshëm të ofrojë bashkëpunim në këtë rrugëtim ashtu siç kanë qenë deri më tani partnerë kryesorë të zgjerimit dhe rritjes së sektorit të ndërtimtarisë 20 vitet e fundit, ashtu do të jenë edhe në gjelbërimin e këtyre ndërtimeve në 20 vitet e ardhshme”.
Në ngjarje ishin prezentë akterët kryesorë të kësaj nisme e cila çdo ditë e më shumë po merr hov drejt një të ardhme më të sigurtë dhe më të qëndrueshme. Ata patën mundësinë të ndjekin panelin diskutues me temë: “Rimendimi i pronës së paluajtshme nëpërmjet inovacionit të gjelbër”, të bëjnë pyetje dhe të mësojnë nga përvoja e insituticioneve tjera të cilët prezantuan rrugëtimin e tyre. Megjithatë është e rëndësishme të kuptohet se për të arritur qëllimet e qëndrueshmërisë në ndërtimet e gjelbërta në Kosovë, nevojitet angazhim i përbashkët dhe i vazhdueshëm nga të gjithë akterët relevantë.
Duke ecur përpara me këtë vizion dhe duke vepruar me vendosmëri dhe përkushtim, ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm.